Federata Ukrainase e Futbollit po merr në konsideratë idenë që t’i japë Andri Shevçenkos drejtimin e kombëtares. Presidenti Anatoli Konkov, ka zbuluar se ka marrë në konsideratë idenë e punësimit të 36 vjeçarit që u largua nga futbolli profesionist në përfundimin e Euro 2012.
“Disa vite më parë, Pep Guardiola arriti rezultate të shkëlqyera me Barcelonën. Jam i sigurt se edhe Shevçenko do të jetë i aftë të pushtojë futbollin si një mentor i ekipit kombëtar, ai ka mjaftueshëm eksperiencë dhe karakter. Federata do t’i japë atij çdo asistencë për të cilën ka nevojë”, tha Konkov në faqen zyrtare të internetit të kësaj federate.
Në tetor, Shevçenko pësoi një dështim shumë të madh, pasi pjesëmarrja e tij në zgjedhjet politike në Ukrainë nuk shkoi ashtu siç pritej. Partia e tij social-demokrate, “Përpara Ukraina”, siguroi vetëm 1.6% votave në zgjedhje, duke mos arritur të sigurojë një vend në parlament, sepse i nevojiteshin 5% të votave për ta bërë një gjë të tillë.
Sipas Konkov, detyra si trajner e Shevçenkos do të ishte më e lehtë, pasi ai ka patur eksperiencë me disa prej trajnerëve më të mirë të futbollit botëror.
“Andri ka luajtur për klube të njohura si Dinamo Kiev, Milan e Çelsi. Ata drejtoheshin nga trajnerë legjendarë si Valeri Lobanovski, Karlo Ançeloti e Zhoze Murinjo. Shevçenko ka aftësinë unike të thithjes së talentit të tyre, njohurive dhe eksperiencës”, tha Konkov, duke e bërë pothuajse fakt të kryer emërimin e Shevçenkos si trajneri i ardhshëm i kombëtares. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 November 2012 19:30