Fitorja 2-0 ndaj Getafe nuk ka kënaqur Diego Simeone, i cili ka shprehur hapur pakënaqësinë për mënyrën se si po trajtohet ylli i skuadrës së tij, Radamel Falkao, për të cilin gjyqtarët nuk kanë të njëjtin kujdes si ndaj Kristiano Ronaldos e Lionel Mesit.
“Nuk më pëlqen të jap mendime për gjyqtarët, por kur flas e bëj për qëllime të mira. Është e dukshme që jepet faull kur preken Mesi e Ronaldo, por nëse dikush godet Falkaon nuk ndodh asgjë. Shpresoj që në të ardhmen të jenë më të vëmendshëm”, tha ai.
Ndonëse ekipi i tij aktualisht mban vendin e dytë në renditje dhe teorikisht është rivali më i afërt i Barcelonës kryesuese, Simeone thuajse nuk sheh as katalanasit e as Real Madrid, i bindur se ekipi i tij ka kundërshtarë të tjerë me të cilët lufton për një vend në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm.
“Vazhdojmë të ecim para me taktikën tonë për të vazhduar nga njëra ndeshje në tjetrën, por është e qartë që kjo javë ishte e mirë për ne pasi rivalët për një vend në Champions u mundën. Është shumë e rëndësishme të mbledhësh pikë në këtë fillim kampionati, në mënyrë që në shkurt dhe mars të jemi në një pozicion sa më të favorshëm”, deklaroi trajneri argjentinas. (LajmeShqip.com)
Monday, 12 November 2012 14:08