Zhoze Murinjo ka përdorur ironinë për të evituar situata të sikletshme para shtypit në lidhje me kërkesën publike të Karim Benzema për më shumë minuta në fushën e lojës, pasi francezi në këtë sezon është kthyer përsëri në zëvendësuesin e Higuain. “Kaloj më shumë minuta në stol se në fushë”, ishte deklarata e sulmuesit që ka sjellë edhe reagimin ironik të Murinjos.
“Benzema nuk ka pse mërzitet, unë kaloj 90 minuta në stol në çdo ndeshje”, ishte deklarata e teknikut portugez që ka shkaktuar të qeshura mes gazetarëve, por nga ana tjetër ka qenë një mesazh i qartë për francezin që të mos vazhdojë më me deklarata të tilla.
Murinjo ka folur edhe për dualizmin që ka lindur tashmë mes Ozil dhe Kaka, ku braziliani është kthyer në një alternativë shumë të vlefshme për mesfushën me lojën e tij.
“Kaka e ndihmon skuadrën kur është në fushë. Nëse do të ishte mbrojtës i majtë, do të kishte luajtur në çdo ndeshje si titullar, por ai është një “numër 10”. Kur ai luante më shumë se Ozil, ju pyetnit përse nuk luan Ozil, ndërsa kur ndodh e kundërta pyetni pse nuk luan Kaka. Këtë radhë luan Ozil”, tregoi Murinjo zgjedhjen e tij për rolin e organizatorit në ndeshjen ndaj Levante, një skuadër shumë e fortë në fushën e saj që në sezonin e kaluar arriti të mundë 4-2 skuadrën e Realit.
“Është një stadium i vështirë, një skuadër e vështirë që ka stilin e saj të lojës. Kanë shumë kohë pa humbur në fushën e tyre dhe më kujtohet mirë si ka qenë ajo humbje”, tha Murinjo duke iu referuar suksesit që arriti aty Barcelona në sezonin e kaluar me rezultatin 2-1 mes polemikave për 11-metërsh e pozicion jashtë loje. (LajmeShqip.com)
Sunday, 11 November 2012 11:15