Arsen Venger është gati të bëjë ndërhyrjen e madhe në merkato për të siguruar që në janar Edinson Kavanin, sulmuesin e Napolit, për të cilin është gati të ofrojë 30 milion paund në mënyrë që të shpëtojë sezonin e Arsenalit.
Sipas “Daily Mail”, trajneri ka marrë vendimin që dje, kur pa skuadrën e tij të barazonte 3-3 me Fullhem dhe ta shihte veten 11 pikë larg kryesuesve të Mançester Junajtid, në mesin e tabelës së klasifikimit. Barazimi i djeshëm solli krisjen e radhës me tifozerinë e cila vazhdon të akuzojë klubin se e ka mendjen vetëm te përfitimet financiare dhe nuk blen futbollistë që mund ta ndihmojnë të luftojë për titull.
Si rrjedhojë, Venger ka përcaktuar sulmuesin 25 vjeçar si prioritetin e tij, pasi mendon se ai është në gjendje të ndihmojë repartin e avancuar, ku i mungon një futbollist i kalibrit të Van Persit, që u largua nga skuadra gjatë verës pikërisht për shkak të politikës së kursimit që zbaton klubi.
Kjo është arsyeja pse shefi i skautëve të Arsenalit, Stiv Krouli, ka udhëtuar në mesjavë drejt Italisë, për të parë nga afër sulmuesin në veprim. Ai nuk mund të kishte zgjedhur një rast më të mirë për vëzhgimin e Kavanit, pasi ishte i pranishëm në stadium në fitoren 4-2 të Napolit ndaj Dnjepro, ku uruguaiani shënoi të 4 golat për skuadrën e tij.
Futbollisti ka shënuar 79 gola në 108 ndeshje për Napolin, duke vërtetuar se e meriton nofkën “Matador” që i është vënë nga mediat. (LajmeShqip.com)
Sunday, 11 November 2012 10:05