Vladimir Kliçko ka mbrojtur me sukses tre titujt e tij botëror të peshave të rënda në kategoritë IBF, WBO dhe WBA përballë sfiduesit të tij polak, 32 vjeçarit Mariusz Vah.
Gjigandi ukrainas vihej për herë të parë përballë një kundërshtari më shtatlartë dhe që peshonte më shumë, pasi jo rastësisht rivali i tij mban nofkën “King Kong”. Por Kliçko ka treguar se eksperienca në këto nivele si dhe forca e tij bëjnë diferencën, duke dominuar në këtë ndeshje ndonëse i ka munguar goditja përfundimtare e KO për të shtrirë në tapet kundërshtarin.
Që në raundin e pestë, ndeshja dukej krejtësisht në dorë të Kliçkos, i cili lëshoi një breshëri grushtesh të saktë kundër rivalit të tij, që përfundoi ndeshjen i gjakosur, por në këmbë, duke thyer çdo parashikim që e shihte atë të mundur me KO nga kampioni ukrainas.
Por pas 12 raundeve, vendimi ka qenë unanim dhe Kliçko ka falënderuar të gjithë të pranishmit në sallë, duke filluar nga aktori Silvester Stalone, i cili ishte i ftuari i tij i nderit.
“Me Rokin në ring nuk mund të humbasësh asnjëherë! Faleminderit Silvester që ishte këtu”, ishte batuta e boksierit që ftoi aktorin e famshëm në ring ndërsa më pas, ai nuk ka ngurruar të kujtojë edhe ish-trajnerin e tij, që u nda nga jeta pak ditë më parë.
“Dua të kujtoj një njeri që fatkeqësisht nuk është këtu. Emanuel Stjuard, na mungon, të kujtojmë”, ishin fjalët e kampionit që u duk shumë i emocionuar për kujtimin e ish-trajnerit të tij, që e kishte patur përkrah për shumë vite me radhë. (LajmeShqip.com)
Sunday, 11 November 2012 00:28