Trajneri i Paris Sent Zhërmen, Karlo Ançeloti, si dhe mbrojtësi anglez i Çelsit, Eshli Kol, kanë zhvilluar ditët e fundit disa biseda telefonike për të diskutuar mundësinë e transferimit të lojtarit në radhët e ekipit francez.
Kol është në vitin e fundit të kontratës së tij dhe ka refuzuar rinovimin njëvjeçar që i ka propozuar Çelsi, duke bërë të qartë se është gati të largohet nga Londra. Sipas “Le 10 sport”, kjo ka shtyrë Ançelotin që t’i telefonojë vetë lojtarit të cilin e ka vlerësuar si lojtarin më të mirë në botë në krahun e majtë të mbrojtjes.
Sipas revistës franceze, Ançeloti i ka zbardhur mbrojtësit anglez planin e plotë të klubit për të ardhmen, duke detajuar etapat se si synohet jo vetëm dominimi në Francë, por edhe në Evropë.
Robert Pires, ish-shok skuadre me Kol te Arsenali, është i bindur se mbrojtësi anglez po tundohet nga oferta e parisienëve, që i ofrojnë një mundësi të artë sportive dhe ekonomike.
“Parisi mund të ishte një zgjidhje interesante për të, në nivel sportiv dhe ekonomik. Mendoj se do t’i thotë po ofertës, pasi plani e tërheq. E njoh mirë dhe jam i sigurt se ai është i interesuar për këtë projekt”, komentoi ish-mesfushori francez. (LajmeShqip.com)
Saturday, 10 November 2012 11:30