Freizër Forster ka qenë padyshim një nga heronjtë e Sëlltikut në ndeshjen ndaj Barcelonës, pasi me pritjet e tij ka shpëtuar portën nga gola të sigurt. Për këtë paraqitje, ai është vlerësuar edhe nga trajneri Roi Hodgson me një grumbullim në përfaqësuesen angleze. Vetë portieri shprehet se nuk do ta harrojë lehtësisht emocionin e përjetuar të mërkurën në darkë.
“Ishte një natë fantastike. Atmosfera ishte thuajse më e mirë se në një derbi dhe ishte shumë e veçantë të fitonim, sidomos në natën e 125 vjetorit të klubit”.
“Si kujtim mbaj fanellën e Mesit, ia kërkova në fund të ndeshjes dhe ai ishte i lumtur të ma dhuronte. Më tha “Pa problem” kur ia kërkova, ndërsa tani e mbaj në mur, e kam vënë në kornizë”, zbuloi portieri, i cili ka lëshuar një batutë mbi faktin që edhe ai i ka dorëzuar argjentinasit fanellën e tij.
“Nuk e di se çfarë do të bëjë Mesi me fanellën time, mendoj se është shumë e madhe për te”, tregoi portieri britanik. (LajmeShqip.com)
Saturday, 10 November 2012 09:06