Mançester Siti ka vënë mes prioriteteve dy brazilianët e Shakhtar Donetsk që për pak bënë çudinë përballë Çelsit duke vënë në vështirësi fituesit në fuqi të Ligës së Kampioneve.
Mesfushori sulmues Uillian, i cili shënoi 2 gola, si dhe partneri i tij në mesfushë, Fernandinjo, tashmë po shihen me vëmendje nga Mançester Siti pas paraqitjeve të shkëlqyera në ndeshjen e Ligës së Kampioneve të dy netëve më parë.
Uillian ka kërkuar prej kohësh që të transferohet në Angli, ndërsa gjatë verës mendohej se do t’i bashkohej Totenhemit. Por gjatë këtij edicioni edhe emri i Fernandinjo ka dalë në pah si i një futbollisti me të ardhme të sigurt.
Siti ka shfaqur probleme në këtë sezon dhe mungesa e alternativave shumë cilësore ndaj formacionit titullar me yje ka bërë që ata të mos arrijnë të shfaqin maksimumin e tyre në Ligën e Kampionve, ku kanë vetëm 2 pikë pas katër ndeshjesh dhe rrezikojnë ti japin lamtumirën turneut. Kjo është ajo që ka shtyrë Roberto Mançinin të kërkojë ndërhyrjen e menjëhershme në merkaton e janarit për të përforcuar skuadrën me elementë sa më cilësorë, duke menduar që të paktën të kthehet të luftojë për titullin kampion në Angli, ku është përsëri në ndjekje të Mançester Junajtid.
Për Uillian, Mançester Siti mund të ndeshë në konkurrencën e Çelsit dhe Totenhem, dy skuadrave që kanë bërë edhe më parë oferta për të. Por në kundërshtim nga londinezët, Mançini ka në dispozicion shumë më tepër të ardhura dhe mund të përballojë shifrën prej 30 milion eurosh që kërkon Shakhtar. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 November 2012 18:27