Masimo Morati po merr seriozisht në konsideratë idenë e riblerjes së Mario Balotelit nga Mançester Siti. Sipas mediave italiane, pronari i zikaltërve ëndërron të kthejë lojtarin që shiti pak vite më parë për 28 milionë euro, duke dërguar në Angli drejtorin sportiv Piero Ausilio për të filluar kontaktet e para.
Zyrtarisht, ky i fundit ka shkuar në Mançester për t’u takuar me homologun e tij te Siti, Çiki Bergirishtajn, ndërsa ka ndjekur ndeshjen mes ekipit anglez dhe Ajaksit, siç konfirmohet në gazetën “Corriere Dello Sport”.
Por ai nuk ka ngurruar të fillojë bisedimet për një kthim të Balotelit, duke parë edhe dëshirën e presidentit Morati që adhuron sulmuesin dhe ëndërron ta shohë atë përsëri me fanellën zikaltër.
Kjo është një prej arsyeve pse Morati ka vendosur një klauzolë për riblerjen e futbollistit në kontratën e tij dhe është gati që ta pranojë përsëri te Interi nëse ky i fundit largohet nga Mançester Siti. Klauzola është që Interi mund të marrë sulmuesin duke barazuar ofertën më të lartë që vjen për të kur klubi anglez ta nxjerrë në shitje.
Vetë futbollisti ka thënë se i pëlqen Anglia, për sa kohë që ka hapësira në formacion. Por me kritikat e fundit publike që i ka bërë trajneri Mançini, qëndrimi i tij mes titullarëve duket i vështirë, thuajse i pamundur e si rrjedhojë, largimi në fillimin e sezonit të ardhshëm është një hipotezë mëse reale. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 November 2012 15:46