Kristiano Ronaldo mendon se fakti që dëshiron të fitojë gjithmonë, e ka bërë atë arrogant në sytë e njerëzve. Lojtari i Real Madrid pranon se reputacioni i tij shpesh bëhet vendimtar në gjykimin që kanë njerëzit ndaj tij.
“Nuk është se ankohem për imazhin që kam krijuar, por mendoj se është pikërisht kështu”, tregoi lojtari për “CNN”. “E pranoj që shpesh kam një imazh negativ në fushën e lojës pasi jam më serioz sesa duhet”.
“Por nëse më njeh me të vërtetë, je miku im dhe jeton në një shtëpi me mua, duhet ta dish që unë urrej të humbas. Kur jam në pishinë me të dashurën, shpesh më pëlqen të bëj gara noti me të. Shpesh, duhet t’i japësh asaj mundësinë që të jetë e lumtur, por unë fitoj edhe kundër saj, pasi urrej që të humbas. Unë jam një tip personi konkurrues dhe shesh njerëzit e interpretojnë këtë në një mënyrë ndryshe. Edhe unë nuk e pëlqej disa herë një gjë të tillë, por më duhet të jetoj me këtë pjesë të karakterit”, pranoi futbollisti portugez.
Kristiano Ronaldo mendon gjithashtu se do të kishte nevojë për pak më shumë privatësi në jetën e tij, pasi fama ka edhe anën negative që nuk mund të bësh çdo gjë si njerëzit normal.
“Të jesh i famshëm është pjesë e punës dhe e suksesit. Njerëzit të njohin ngado që shkon dhe shpesh unë thjesht do të dëshiroja të shkoja diku për shoping, apo te MekDonalds, por njerëzit me njohin ngado dhe më duhet të jetoj me këtë fakt”, tregoi ai.
Më pas, portugezi ka përsëritur mendimin e tij se Zhoze Murinjo është trajneri më i mirë në botë, falë asaj që ka fituar në çdo ekip ku ka qenë gjatë karrierës së tij.
“Marrëdhënia ime me të është perfekte. Unë jam i sigurt 100%, 200% që ai është më i miri. Ai e meriton një vlerësim të tillë sepse e tregon në çdo vend ku shkon se është më i miri, pasi fiton kampionate. Për mua, trajneri më i mirë është ai që fiton kudo dhe Murinjo e ka treguar një gjë të tillë”, tha Kristiano Ronaldo. (LajmeShqip.com)
Friday, 09 November 2012 11:30