Kapiteni i Bregut të Fildishtë, Didier Drogba, i ka bërë një telefonatë personale futbollistit Uilfred Zaha, për ta bindur që të luajë për vendlindjen e tij në Kupën e Kombeve të Afrikës dhe të refuzojë ftesat e ardhshme nga përfaqësuesja angleze.
Lojtari që mbush moshën 20 vjeç në fundjavë, shihet si një nga talentet më premtues në Angli dhe ka qenë pjesë e kombëtareve të moshave të kësaj përfaqësueseje.
Ai pritet të jetë pjesë e listës së kombëtares U-21 që Stjuart Pirs do të publikojë në fundjavë për takimin kundër Irlandës së Veriut, por rregullat e FIFA-s e lejojnë atë që të ndërrojë kombëtare derisa të debutojë në atë A, pasi mund të luajë ende për shtetin në të cilin ka lindur.
Kjo ka shtyrë Drogba që të marrë vetë situatën në dorë dhe të kontaktojë lojtarin, për ta bindur atë që të zgjedhë origjinën e tij para Anglisë, edhe pse kjo e fundit i jep mundësi më të mëdha për të karrierën e tij.
Zaha është kthyer në objektivin e merkatos së shumë klubeve të njohura angleze dhe pritet që nga sezoni i ardhshëm, ai të aktivizohet në Premier League. (LajmeShqip.com)
Thursday, 08 November 2012 09:03