Zhoze Murinjo ka deklaruar se mundësia që skuadra e tij të përfundojë në vendin e dytë në Grupin D nuk përbën asnjë problem për të, por do të jetë një problem për skuadrat e tjera që përfundojnë të parat në grupet respektive.
“Nëse kualifikohemi dhe përfundojmë të dytët në grupin më të vështirë, atëherë ky do të jetë një problem vetëm për ekipet që përfundojnë të parat në grupet e tjera. Të dy herët që kam fituar Ligën e Kampioneve, skuadra ime ka përfunduar e dyta në fazën e grupeve”, kujtoi trajneri portugez.
“Këtu nuk ka asgjë dramatike. Kemi luajtur një ndeshje të madhe ndaj Mançester Sitit dhe sot ishte një tjetër ndeshje e madhe. Kemi bërë dy gabime të mëdha në mbrojtje dhe nuk mund të përsëritim gjëra të tilla ndaj skuadrave të mëdha që të vrasin sapo shohin këto raste. Dortmundi na vuri në vështirësi dhe mua më pëlqeu vetëm si reaguam në pjesën e dytë. Tifozët që kundërshtojnë? Pas dy vitesh këtu nuk mund të çuditem për vërshëllimat, mbështetjen që mungon apo një stadium të ftohtë… është çështje kulture ”, deklaroi Murinjo.
Nga ana tjetër, Jurgen Klop nuk ka dalë i zhgënjyer nga “Santiago Bernabeu”, edhe pse skuadra e tij po fitonte ndeshjen deri në minutën e 89-të.
“Kemi patur fat në këtë ndeshje. Kuptohet që kur nuk je me fat në “Santiago Bernabeu” largohesh me 8 gola të pësuar. Është shumë e vështirë të planifikosh një ndeshje kundër Real Madrid. Ndryshimi i madh është se kur luan këtu, ata janë më agresivë. Ky ishte një rezultat i mirë. Plani ynë ishte të mos bënim gabime dhe të mbanim topin. Ishim të qartë dhe luajtëm mirë, sidomos në pjesën e dytë përballë Kristiano Ronaldos”, deklaroi trajneri gjerman. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 07 November 2012 11:15