“Grupi i vdekjes” ka dhuruar dy ndeshje mjaft emocionuese, por që të dyja kanë dalë pa fitues, në barazimin identik 2-2. Në të dy rastet, skuadrat vendase, Real Madrid dhe Mançester Siti, janë detyruar të rikuperojnë, pasi janë gjendur në disavantazh dhe kanë rrezikuar realisht që të humbin në këtë sfidë.
Një takim i ethshëm ka qenë ai i ”Santiago Bernabeu, ku Reali kërkonte hakmarrje përballë Borusia Dortmund. Por kanë qenë miqtë që kaluan të parët në avantazh pas një kundërsulmi prefekt të finalizuar nga Reus. Pak minuta më vonë, baraspesha do të vendosej nga një goditje me kokë e Pepe, por pjesa e parë mbyllet me avantazhin gjerman, falë një autogoli spektakolar të Arbeloa pikërisht në minutën e fundit.
Ndonëse Reali dominoi pjesën e dytë, nuk arriti të çante dot mbrojtjen e ngjeshur të Borusias. Atëherë kur mendohej se kjo sfidë po përfundonte me fitoren e miqve dhe kalimin e tyre në turin tjetër, Ozil shpëton skuadrën e Murinjos nga turpi me një goditje dënimi perfekte që përfundon në rrjetë kur ora shënonte minutën e 89-të të sfidës. Gjithsesi, Borusia mbetet në vendin e parë në grup me 8 pikë dhe vazhdon të jetë favorite kryesore për të kaluar në fazën tjetër.
Po aq dramatike ka qenë edhe ndeshja mes Mançester Sitit dhe Ajaksit. Miqtë kanë bërë çudinë, ndërsa brenda pak minutave kanë shënuar dy herë me kapitenin Siem De Jong, falë gafave në mbrojtjen e skuadrës angleze gjatë goditjeve nga këndi. Fatmirësisht për Mançinin, Jaja Ture ka arritur të shkurtojë shpejt diferencën me një gol në minutën e 22-të, ndërsa vendasit janë hedhur tërësisht në sulm për të kërkuar barazimin, i cili ka ardhur vetëm në minutën e 74-t me Agueron. Por ndonëse ekipi anglez ka insistuar për të gjetur fitoren, nuk e ka arritur atë në minutat e mbetura dhe fakti që ka vetëm 2 pikë pas 4 ndeshjesh e bën thuajse të pamundur kalimin në turin tjetër, edhe pse mundësia matematikore ekziston. (LajmeShqip.com)
Grupi D
Mançester Siti-Ajaks 2-2
22’ Jaja Ture, 74’ Aguero / 10’, 17’ De Jong
Real Madrid-Borusia Dortmund 2-2
34’ Pepe, 89’ Ozil / 28’ Reus, 45’ (ag) Arbeloa)
Renditja: Borusia Dortmund 8 pikë, Real Madrid 7, Ajaks 4, Mançester Siti 2.
Wednesday, 07 November 2012 00:03