Tifozët e Dinamo Zagreb janë përplasur në qendër të Parisit me tifozët e PSZH, pavarësisht një urdhërese të qeverisë franceze që ndalonte udhëtimin e tifozëve të vendit ballkanik për të ndjekur ndeshjen e sotme. Të paktën 28 persona u arrestuan dhe një mbeti i plagosur rëndë gjatë përplasjeve mes palëve të hënën në darkë, në zonën pranë Bastijës ku shpërtheu një betejë e ndezur.
Më vonë, policia rrethoi një hotel të kryeqytetit francez duke arrestuar rreth 80 persona të tjerë. Këto ngjarje ndodhën ndonëse tifozëve kroatë u ishte ndaluar udhëtimi për të parë këtë ndeshje si dhe ishte vendosur që të mos u shiteshin bileta, për shkak të frikës së huliganizmit.
“Zënka shpërthyen mes tifozëve të PSZH dhe Dinamo Zagreb në zonën e Bastijës. Policia u dërgua që t’i jepte fund përplasjeve. Disa persona, pjesa më e madhe e të cilëve kroatë, u dërguan për t’u marrë në pyetje. Një shtetas kroat është plagosur rëndë”, u shpreh zëdhënësja e policisë së kryeqytetit francez.
Urdhri i qeverisë franceze për ndalimin e udhëtimit të tifozëve kroatë erdhi pasi autoritetet kroate njoftuan se grupimi i njohur me emrin “Djemtë e keq blu”, po planifikonte të udhëtonte drejt Parisit. Ata kanë një histori të gjatë huliganizmi e dhunë, ndaj u vendos që të ndalohej udhëtimi i shtetasve kroatë në zonën e Parisit në datat 6 dhe 7 nëntor.
Rreth 100 tifozë të PSZH nuk u lejuan të hynin në Kroaci në kufirin tokësor para ndeshjes së pare mes skuadrave me 24 tetor. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 November 2012 14:44