Tenisti zviceran Roxher Federer, deklaroi se mbështet kërkesën e Endi Marrei për të patur më shumë kontrolle gjaku antidoping për të mbajtur të pastër këtë sport. Sipas tij, ideja e britanikut për kontrolle të vazhdueshme dhe jashtë sezonit është mëse normale dhe e kuptueshme.
“Aktualisht ndjej se jam më pak i kontrolluar se 6-7 vite më parë. Jam dakord me atë që thotë Endi, që duhet të kontrollohemi më shumë gjatë vitit. Mendoj se është diçka e rëndësishme dhe se nuk mjafton të bësh testet me short nëpër turne apo kur del në vendet e para. Është jetësore që ky sport të vazhdojë të jetë i pastër. Kemi një histori shumë të mirë dhe është e rëndësishme që të vazhdojë të mbetet e tillë”, u shpreh tenisti zviceran.
Sipas të dhënave që dalin nga vetë faqja e internetit e Federatës Ndërkombëtare të Tenisit, gjatë vitit 2011 janë zhvilluar vetëm 21 teste jashtë aktiviteteve mes sportistëve profesionistë, ndërsa Federata Ndërkombëtare e Çiklizmit, në të njëjtin vit, zhvilloi 3314 teste të tilla jashtë aktiviteteve. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 06 November 2012 10:01