Franko Baldini u ka bërë ftesë Mançester Sitit dhe Real Madrid të bëjnë gati ofertat e tyre për Daniele De Rosin, duke nxjerrë praktikisht në shitje mesfushorin italian, ndonëse ai nuk e ka bërë një gjë të tillë në mënyrë direkte.
“Gjatë verës u dëgjua një ofertë që na erdhi nga Mançester Siti, për të cilën u vendos që të mos pranohej dhe nëse do të vijë një ofertë tjetër do ta ridëgjojmë, ndërsa mund të mos e pranojmë përsëri. Një menaxher i mirë duhet të vlerësojë gjithçka”, tha drejtori i përgjithshëm i Romës.
“Shumë njerëz harrojnë se menaxherët kanë për detyrë të drejtojnë një klub duke vlerësuar çdo mundësi që shfaqet. Por nëse nuk e dëgjon këtë mundësi, si mund ta vlerësosh atë?”, ishte komenti i tij rreth kësaj çështje.
Deklarata duket se i hap rrugën përfundimisht shitjes së mesfushorit, ndonëse ai është idhulli i tifozerisë verdhekuqe. Sipas mediave spanjolle, një hap para e ka hedhur Real Madrid, që ka bërë një ofertë prej 25 milionë eurosh për lojtarin, por Baldini nuk e ka konfirmuar një gjë të tillë.
E sigurt është se shumë shpejt një ofertë tjetër e Mançester Sitit do të vijë nga Anglia, pasi De Rosi është një prej futbollistëve të preferuar të Mançinit, i cili e kërkonte edhe kur ishte në drejtimin e Interit. (LajmeShqip.com)
Monday, 05 November 2012 16:01