Mançester Junajtid ka vendosur të shtyjë për në fundin e këtij sezoni bisedimet për rinovimin e kontratës së Rajan Gigs.
Legjenda e klubit anglez mbush moshën 39 vjeç në fund të këtij muaji dhe pritej të fillonte bisedimet për rinovimin e kontratës ekzistuese me drejtuesit e klubit, por këta kanë bërë të qartë se nuk do të ulen në bisedime para muajit maj.
Ashtu siç është bërë e zakonshme gjatë viteve të fundit, “veteranët” e Mançester Junajtid nuk përfitojnë kontrata më të gjata se një sezon. Por Aleks Ferguson është shfaqur i vendosur që të mbante lojtarët e vjetër duke i siguruar kontratat e tyre që 6 muaj para përfundimit, për t’i dhënë qetësinë e duhur që të përqendroheshin vetëm te futbolli.
Një gjë e tillë ndodhi një vit më parë me Gigs, ku u lajmërua se rinovimi i tij do të diskutohej në dhjetor, ndërsa firma në kontratë u hodh në shkurt. Por tani, mëdyshja e klubit ka nisur spekulimet se ky mund të jetë sezoni i fundit me klubin i uellsianit, siç e ka pranuar ai vetë në një intervistë në muajin e kaluar.
Gigs ka zhvilluar më shumë se 900 ndeshje me fanellën e Mançester Junjatid që nga debutimi i tij në vitin 1991 dhe të mërkurën luajti 120 minuta në ndeshjen e League Cup kundër Çelsit. “Mendoj se me Rajan Gigs pamë një lojtar të përmasave të jashtëzakonshme, pasi luajti 120 minuta ndërsa do të mbushe 39 vjeç në muajin e ardhshëm”, ishte vlerësimi i Aleks Ferguson pas përfundimit të ndeshjes.
Shpesh është spekuluar se Gigs dhe Skols janë dy lojtarët të cilët do të formojnë dyshen drejtuese në stolin e Mançester Junajtid pasi Aleks Ferguson të lërë drejtimin e këtij klubi. (LajmeShqip.com)
Sunday, 04 November 2012 12:30