Juventusi nuk ka hequr dorë nga ëndrra për të patur në sulm një lojtar të klasit botëror dhe këtë gjë e konfirmon fakti se bardhezinjtë po insistojnë të sjellin në Itali sulmuesin e Barcelonës David Vija. Lajmi është konfirmuar në faqet e “Mundo Deportivo”, gazetës katalanase e cila si gjithmonë është e para që publikon lajmet më të bujshme të kësaj skuadre.
Sipas gazetës spanjolle, ndërmjetësi i palëve është Bepe Boco, i cili ka kontaktuar me kompaninë “VOS”, që përfaqëson të drejtat e futbollistit spanjoll. Klubi bardhezi kishte bërë një tentativë të dobët për futbollistin edhe gjatë verës, por atëherë ishte më i impenjuar për të sjellë në Torino lojtarë të tjerë, duke vënë si prioritet Van Persi, Lorente, Xheko e Higuain, ndërsa Vija po riaftësohej nga dëmtimi prej të cilit humbi më shumë se gjysmën e sezonit të kaluar.
Por forma që po kalon sulmuesi gjatë këtij sezoni ka bërë që juventinët të kthejnë përsëri sytë nga ai, ndërsa do të tentojnë që në janar ta bindin t’i afrohet kampionëve të Italisë. Arma e tyre më e fortë është fakti që Barcelona ka planifikuar që tani një të ardhme me Neimar, që do të mbyllte përfundimisht dyert e formacionit titullar për sulmuesin e kombëtares së Spanjës.
Meqenëse ai edhe më parë ka deklaruar se do të kishte shumë dëshirë të provonte një eksperiencë në një kampionat tjetër, drejtuesit e Juventusit po mendojnë që ta bindin që t’i bashkohet sa më parë kësaj skuadre, duke i ofruar edhe një rrogë të përafërt me atë që përfiton aktualisht në radhët e katalanasve. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 November 2012 17:20