Mançester Siti ka vendosur të marrë në provë për disa javë yllin japonez të futbollit, Hideki Ishige, për të parë nga afër vlerat e adoleshentit që ka mahnitur vendin aziatik me lojën e tij.
Mesfushori që mori vlerësimin “Zbulimi i Vitit në Azi”, po shkëlqen në radhët e Shimizu S-Pulse, ndërsa shihet si arsyeja kryesore e rezultateve të mira të kësaj skuadre në kohët e fundit.
Lajmin për interesimin Mançester Sitit e ka konfirmuar trajneri i skuadrës japoneze, Afshin Ghotbi.
“Nëse dëshiron të ndërtosh lojtarë të kalibrit botëror, duket t’iu japësh atyre eksperiencë dhe mundësinë që të shohin nga afër çfarë do të thotë të luash në nivele të tilla. Nuk besoj se ka mundësi më të mirë për Ishige sesa të stërvitet me skuadrën e parë të Mançester Sitit, kampione e Anglisë, përkrah disa prej lojtarëve më të mirë në botë dhe me një trajner si Roberto Mançini që e sheh nga afër”, tha ai rreth mundësisë që lojtari t’i bashkohet skuadrës angleze për provën gjatë muajit janar.
“Për të ka patur interes jo vetëm nga Mançester Siti, por shumë klube në Evropë, pasi ai është një talent i jashtëzakonshëm”, u shpreh trajneri që konfirmoi se klubi do ta shiste lojtarin vetëm nëse bëhej fjalë për të kaluar në një skuadër prestigjioze në Evropë. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 November 2012 15:50