Rivaliteti i ashpër mes Juventusit dhe Interit është lënë disi në plan të dytë pas një telefonate kortezie mes presidenti të bardhezinjve, Andrea Anjeli, dhe atij të zikaltërve, Masimo Morati. Pak ditë para sfidës direkte mes dy skuadrave në kampionat, ky i fundit i ka telefonuar rivalit të tij duke e uruar për 115 vjetorin e krijimit të klubit.
Nga ana tjetër, Anjeli e ka ftuar për të disatën herë që të jetë i pranishëm në stadium për ndeshjen mes Juventusit dhe Interit, ndonëse duke e ditur mirë se ky i fundit do ta refuzojë një ftesë të tillë. Në fakt, Morati nuk shkel në stadiumin e Juventusit prej shumë vitesh, pasi shpesh është kthyer në objekt sharjesh në kor gjatë 90 minutave dhe nuk dëshiron t’i japë shkas tifozëve bardhezinj që të vazhdojnë një traditë të tillë.
Jo rastësisht, presidenti i Interit ka folur për mediat duke shpresuar që kjo ndeshje të mos shoqërohej me polemika, po të ishte thjesht një spektakël, edhe pse ai do të detyrohej ta ndiqte nga televizori.
“Nuk është ndeshje vendimtare për të dy skuadrat. Kush arratiset shpejt, shpesh përfundon duke iu afruar finishit pa frymë. Forca e Juventusit në këtë kampionat është agresiviteti, por mund të them se më në fund do të jetë një ndeshje pa polemika. Nuk dua që të ketë tension të kotë, edhe pse më vjen keq që përsëri nuk ka ardhur koha që unë të shkoj në Torino ta ndjek atë”, tha Morati. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 November 2012 15:10