Klubi spanjoll i Malagas vazhdon të përballet me probleme të rënda financiare ndonëse po shkëlqen si në kampionat ku është në pozita komode, ashtu edhe në Ligën e Kampioneve, ku është favorit kryesor për të kaluar grupin në të cilin bën pjesë edhe një skuadër si Milani.
Pronari Abdullah Al-Thani, kishte si afat përfundimtar datën 31 tetor për të shlyer pagesat e prapambetura të lojtarëve, stafit teknik si dhe autoritetit të taksave në Spanjë. Ai nuk do të ketë as ndihmën e UEFA-s, e cila ka bërë të qartë se do të ndalojë pagesën e të ardhurave nga aktivitetet e saj të gjithë klubeve që figurojnë në listën e shkelësve të fair-play financiar, me Malagan që bën pjesë në atë listë.
Sipas mediave spanjolle, Thani u ka ende borxh lojtarëve rreth 70% të pagës së vitit të kaluar, rreth 8.5 milionë euro, pa harruar këtu edhe bonuset që ata kishin në kontrata për kualifikimin në Ligën e Kampioneve.
Sipas asaj që raportojnë mediat spanjolle, autoritetet e taksave në Spanjë kanë bllokuar llogaritë bankare të klubit dhe të ardhurat e tij që nga vitit 2010, kur sheiku e bleu atë. Si rrjedhojë, ai u ka kërkuar lojtarëve leje që të shtyjë përsëri pagesën e rrogave, sapo të zgjidhë problemet me zyrën e taksave që për momentin mban peng rreth 20 milionë euro që i përkasin Malagas.
Nëse situata nuk zgjidhet as brenda muajit të ardhshëm, Malaga rrezikon të penalizohet si nga Liga Spanjolle me heqjen e pikëve dhe rënien automatikisht nga kategoria, ashtu edhe nga UEFA, e cila mund ta përjashtojë nga Liga e Kampioneve duke e shpallur të falimentuar. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 November 2012 13:30