Mediat angleze kanë publikuar lajmin se Roberto Mançini ka qenë shumë pranë firmës me skuadrën e Monako gjatë verës, para se të vendoste për rinovimin me Mançester Sitin.
Trajneri italian 47 vjeçar është takuar shpesh me drejtuesit e klubit francez gjatë 3 muajve radhazi, duke diskutuar mundësinë që ai të merrte drejtimin e skuadrës që aktualisht gjendet në kategorinë e dytë pas rënies në sezonin e kaluar.
Gazeta “The Guardian” bën të ditur se akordi mes palëve ishte gjetur plotësisht, edhe në detajet më të vogla, me klubin francez që ishte i sigurt se kishte arritur të vinte në drejtim një prej trajnerëve më të njohur në qarkullim. Takimi i fundit mes palëve ka qenë pasi Mançester Siti u mund 1-0 nga Arsenali dhe ishte 8 pikë pas Mançester Junajtid në luftën për titull në sezonin e kaluar.
Pronari i ri i klubit francez, Dmitri Ribolovlev, asokohe i ofroi një kontratë 5 vjeçare me 8 milion euro rrogë në vit, duke i dhënë mundësinë të niste një projekt të ri afatgjatë në radhët e Monako. Por ecuria e jashtëzakonshme e muajve të fundit në kampionatin anglez dhe pikërisht fitorja e titullit bënë që trajneri italian të ndërronte mendje dhe të vendoste të qëndronte te Mançester Siti, i shpërblyer edhe nga rinovimi e përmirësimi i kontratës së tij me parametra financiarë të përafërt me ato që i ofronte klubi i principatës.
Si Mançini, ashtu edhe klubi i Mançester Siti nuk kanë pranuar të prononcohen dje rreth kësaj çështje. (LajmeShqip.com)
Friday, 02 November 2012 10:10