Arsen Venger u ka bërë thirrje tifozëve të klubit që të tregojnë respekt ndaj Robin Van Persit në ndeshjen e të shtunës ku “topçinjtë” vihen përballë Mançester Junajtid. Shumë nga tifozët mendojnë se holandezi është një tradhtar pasi u largua nga ky ekip për të shkuar te një prej rivalëve historikë, pasi kishte qenë për 8 vite një pjesë e rëndësishme e londinezëve.
“Shpresoj që të jetë një pritje e respektueshme për të, pasi ai ka luajtur për 8 vite me ne. Ai ka bërë gjithçka mirë, shumë mirë për ne, ndaj normalisht që duhet respektuar”, tha Venger.
Van Persi shënoi 132 gola gjatë periudhës kur luajti në radhët e Arsenalit, ku 37 prej tyre erdhën vetëm në sezonin e kaluar, duke e ndihmuar ekipin të ngjitej në vendin e tretë në kampionat pas një fillimi shumë të dobët që i bënë sezonit.
Venger pranon se nuk e di se çfarë ndryshimi mund të kishte në skuadër nëse Van Persi do të kishte qëndruar për të luajtur përkrah blerjeve të reja të skuadrës, pasi për momentin zëvendësuesit e tij Zhirud dhe Çamakh as nuk mund të krahasohen me holandezin.
“Kjo përgjigje është shumë e vështirë, pasi për momentin po mendoj si të paraqitem sa më mirë me lojtarët që kam. Të fillojmë të mendojmë se sa shumë do t’ia ndjejmë mungesën nuk do të na ndihmojë në objektivat tonë”, tha trajneri francez i cili nuk është çuditur kur ka parë se si holandezi ka shënuar 11 gola në 15 ndeshjet e para me Mançester Junajtid.
“Ai është padyshim një sulmues efikas dhe një lojtar mjaft inteligjent rrotull zonës së rreptësisë. Teknika e tij është e jashtëzakonshme, ndaj me depërtimet e tij inteligjente ai do të marrë maksimumin e aftësive të tij duke vazhduar të shënojë”, u shpreh ai duke menduar tashmë se si të veprojë për të ndalur furinë realizuese të ish-lojtarit të tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 November 2012 21:14