Presidenti i Paris Sent Zhërmen, Naser Al-Khelaifi, ka hedhur poshtë zërat se gjigantët e kampionatit francez po përpiqen që të blejnë Kristiano Ronaldon.
E përditshmja italiane “La Gazzetta Dello Sport” publikoi dje lajmin e bujshëm se menaxheri Mendes ishte duke rregulluar transferimin lojtarit portugez si dhe trajnerit Zhoze Murinjo në radhët e skuadrës franceze, ndërsa këta të fundit ishin të gatshëm të paguanin 100 milionë euro për këtë lëvizje. Por Al-Khelaifi ka ndërhyrë personalisht për të shuar zërat dhe spekulimet e shtypit sportiv.
“Kristiano Ronaldo është një lojtar i madh, por ai ka kontratë me Real Madrid. Unë nuk kam folur me askënd në radhët e Real Madrid për të”, u shpreh ai në një prononcim për AFP.
Edhe pak kohë më parë, kur Kristiano Ronaldo shprehu pakënaqësinë e tij pas një ndeshej me Real Madrid, klubi parisien u përfol si më i interesuari për blerjen e lojtarit. Edhe atëherë, ishte pikërisht Al-Khelaifi që u shfaq në publik për të hedhur poshtë këto zëra, ndonëse presidenti i PSZH zakonisht preferon të mos prononcohet shumë në media rreth drejtimit të klubit të tij. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 November 2012 17:01