Humbja përballë Parmës ka kthyer përsëri polemikat në radhët e skuadrës së Romës dhe i pari që ka shprehur pakënaqësinë ka qenë pikërisht kapiteni Françesko Toti, i cili është i ndërgjegjshëm që ekipi nuk mund të ketë luhatje kaq të mëdha.
“Ky nuk është momenti të festoj arritjet personale (218 gola në Serinë A). Tani po mendoj më shumë për skuadrën sesa për veten”, tha kapiteni. “Çfarë nuk funksionon? Gjithçka! Nuk bëjmë atë që thotë trajneri, por gjërat varen nga ne që zbresim në fushë. Cilat janë problemet? Nuk jam unë personi që duhet të gjykoj gjërat, unë e di atë që kërkon trajneri pasi kam luajtur edhe më parë nën drejtimin tij”.
“Tani objektivi ynë është vetëm vendi i tretë, sigurisht që nuk mund të luftojmë për titullin kampion. Roma ka një organikë mjaft të mirë lojtarësh, por duhet që të gjithë të punojmë së bashku. Nuk është e pranueshme që të bëjmë një vit tjetër tranzicioni. Nga kjo krizë dalim vetëm nëse ndjekim atë që thotë trajneri. E them me ndershmëri sepse e njoh mirë. A kemi lojtarët e duhur për skemat e tij? Ai thotë që po…”, ishte përgjigja disi dyshuese e kapitenit të Romës. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 November 2012 13:30