Fitorja e 8-të radhazi e Interit ka bërë që Andrea Stramaçioni të mos fshihet më dhe të bëjë publike ambiciet e tij për të qenë pjesë e luftës për titullin kampion në Itali. Trajneri i zikaltërve ka deklaruar se ekipi është gati të luftojë si i barabartë me Juventusin në ndeshjen e fundjavës, me synimin të ndalë bardhezinjtë që kryesojnë të vetëm renditjen e Serisë A.
“A do të luajë për barazim në Torino? Jemi Interi dhe në ADN kemi fitoren. Do të provojmë t’i vëmë në vështirësi në fushën e tyre. A na prishi festën goli i Pogba? Ne shohim vetëm ecurinë tonë”, tha trajneri i zikaltërve i cili komentoi më pas edhe fitoren 3-2 përballë Sampdorias.
“Suksesi ishte një sinjal i rëndësishëm për ne, një ndeshje që nuk donim ta nënvlerësonim, shfaqëm vështirësi në fillim, por pjesa e dytë ishte e jashtëzakonshme”.
“Po stërvit një Kasano të madh, por edhe një Milito dhe një Palacio po aq të mëdhenj. Paraqitja pozitive e skuadrës me 3 sulmues në fushë është fryt i punës së madhe që bëjmë në stërvitje. Mund të vuajmë, por ashtu si sot, kemi dhuruar një futboll cilësor, nuk mbaj mend të kemi provuar një herë një top të gjatë”, tha tekniku i zikaltërve.
“Nëse do të kisha dhënë një sinjal rotacioni, do të kisha dhënë njëkohësisht edhe një sinjal dobësie, ndaj mund t’ju garantoj se kam hedhur në fushë Interin më të mirë të mundshëm, edhe pse të gjithë luajnë një ndeshje çdo 3 ditë që nga fillimi i muajit gusht. Mendova që më e rëndësishme është të fitonim sot, ndërsa të shtunën luhet një ndeshje tjetër. E rëndësishme është që ky Inter po rritet”, shprehu kënaqësinë e tij trajneri i zikaltërve. (LajmeShqip.com)
Thursday, 01 November 2012 11:50