Zhoze Murinjo dhe Kristiano Ronaldo, në sezonin e ardhshëm do të transferohen në Paris, për t’u bërë pjesë e PSZH. Ky është skenari i bujshëm që ka botuar sot “Gazzeta Dello Sport” në Itali sipas burimeve nga klubi francez, por edhe ai spanjoll, bisedimet kanë pak ditë që kanë filluar, por transferimi duket mëse i mundshëm për arsye nga më të ndryshmet.
Gjithçka ka filluar nga shpërthimi i famshëm i Kristiano Rnaldos në fillimin e muajit shtator. Lojtari nuk është më i kënaqur me 10 milionë eurot neto që përfiton në sezon dhe duke parë që drejtuesit nuk kanë ndër mend të lëvizin për përmirësimin e marrëveshjes, ka vendosur që të kërkojë ai një sistemim tjetër. Florentino Perez i ofroi menjëherë 14 milion euro neto në sezon, por lojtari tashmë ka rritur pretendimet, duke çuar në 18 milionë euro neto shifrën që kërkon në vit. Kjo shumë kalon çdo lloj mundësie të klubit spanjoll, i cili po vuan ashtu si të gjithë ekonomia spanjolle nga kriza financiare dhe nuk gjen më banka të gatshme të sponsorizojnë marrëveshje të tilla.
Ndërkohë, në lëvizje është vënë Horge Mendes, menaxheri si i Murinjos, ashtu edhe i CR7, i cili ka kontaktuar me sheikun Al Thani, pasi ky i fundit është mjaft i interesuar për një transferim të dy portugezëve në klubin e tij. Sheiku nuk pyet për shpenzime, sepse ka bërë gati një çek prej 100 milionë eurosh për të bindur Real Madrid, si dhe rreth 200 milionë euro të tjera që i nevojiten për të paguar rrogën e Kristiano Ronaldo dhe taksat e saj. Me pak fjalë, parisienët duan të arrijnë shpejt në majën e botës së futbollit, pa pyetur për shpenzime apo kërcënimet e UEFA-s për rregullat e fair-play financiar.
Mendes i ka gjetur Realit edhe zëvendësuesin më të mirë të mundshëm, duke i ofruar mundësinë që të kalojë në radhët e kësaj skuadre atë që për momentin vlerësohet si më i miri, Radamel Falkaon, të cilin e menaxhon po ai.
Ndërkohë, sheikëve të Katarit u është bërë e qartë se bashkë me CR7, drejt PSZH do të transferohet edhe Murinjo, i cili nuk dëshiron të ndahet nga ylli i tij i preferuar e për më tepër, nuk do të kundërshtonte rritjen me disa dhjetëra miliona euro të llogarisë bankare.
Artikulli i gazetës italiane pritet të krijojë më tepër spekulime dhe do përgatitë një merkato të ethshme për sezonin 2013-2014, ndonëse vera është ende shumë larg. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 31 October 2012 13:20