Trajneri i PSZH, Karlo Ançeloti, kundërshton idenë se ekipi parisien ka krijuar që tani një varësi të ndjeshme ndaj Zlatan Ibrahimoviç. Klubi parisien kryeson kampionatin francez, duke patur 3 pikë avantazh ndaj Tuluzës dhe Marsejës, me këtë të fundit që është kundërshtari i sotëm në Kupën e Ligës.
Ibrahimoviç, që iu bashkua klubit gjatë merkatos së verës, ka shënuar 10 nga 16 golat e skuadrës në këtë sezon, por Ançeloti nuk mendon se ekipi i tij ka varësi ndaj suedezit.
“Nuk mendoj se varemi nga Zlatan. Ne e sollëm këtu pasi ai ka një personalitet të fortë dhe shumë cilësi”, tha Ançeloti.
“Ai shënon shumë gola. Sa herë që gjen rrjetën, është një gjë e mirë për të dhe për skuadrën. Mendoj se edhe ekipi punon shumë që ta nxjerrë atë në pozicionin më të mirë të mundshëm për të shënuar”.
Ndeshja e sotme do të jetë e dyta në këtë sezon mes dy skuadrave, ku në takimin e luajtur në “Velodrom” në kampionat, 90 minutat u mbyllën me rezultatin e barabartë 2-2.
“Marseja ka një ekip ë mirë. Ata janë fizikisht të fortë, kanë karakter dhe mentalitet të fortë. Mendoj se janë një skuadër që do të synojë të na mundë në çdo mënyrë, pasi po kthehemi në rivalë të fortë për trofe. Por e njëjta gjë vlen edhe për ne. Në takimin e fundit, po të kishim luajtur më të përqendruar do të kishim fituar, ndaj besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar, por ne kemi mundësi reale ta fitojmë”, tha Ançeloti. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 31 October 2012 11:50