Trajneri i Real Madrid, Zhoze Murinjo, deklaroi se nuk është i shqetësuar nga distanca që aktualisht skuadra e tij ka me Barcelonën që kryeson kampionatin spanjoll. Ndonëse madrilenët arritën të fitonin 5-0 ndaj Majorkës, ata nuk mundën të shkurtonin diferencën prej 8 pikësh që kanë me katalanasit, të cilët fituan me të njëjtat shifra një ditë më parë në fushën e Rajo Vajekano.
“Ne ishim 10 pikë para skuadrës së vendit të dytë në muajin mars të sezonit të kaluar dhe të gjithë e dinim që kampionati ishte i hapur. Sot nuk jemi në mars, jemi në tetor dhe nëntor. Diferenca nuk është 10 pikë por vetëm 8 ndaj ne thjesht duhet të vazhdojmë punën tonë duke injoruar rivalët tanë. Nuk bëhet fjalë vetëm për Barcelonë, pasi në këtë rast kemi dy rivalë, me Atletiko Madrid që ka të njëjtën distancë të ndjeshme ndaj nesh”, tha tekniku portugez.
“E rëndësishme ishte të fitonim, pavarësisht rezultatit, sepse para ndeshjes e ndjenim që do të ishte një ndeshje e vështirë. Mendoj se jemi në formë të mirë, edhe pse nuk po luajmë aq mirë sa në sezonin e kaluar. Por po luajmë aq mirë sa të mund të fitojmë ndeshjet”, deklaroi trajneri i madrilenëve. (LajmeShqip.com)
Monday, 29 October 2012 13:40