Nëse lojtarët e Mançester Junajtid i kanë thurur elozhe Çelsit, fitues i Ligës së Kampioneve dhe Kupës FA në sezonin e kaluar, trajneri i tyre, Aleks Ferguson, nuk e mendon në të njëjtën mënyrë. Skocezi beson se londinezët nuk kanë një skuadër më të fortë se ajo “e pamëshirshmja” që krijoi Zhoze Murinjo disa vite më parë.
Uejn Runi dhe Pol Skols i thurën elozhe kundërshtarëve për lojën që dhuruan dhe për fitoren e bujshme 4-2 ndaj Totenhemit vetëm një javë më parë, por Aleks Ferguson beson se versioni anglez i “tiki-taka” që përdor skuadra e Di Mateo, nuk është aq efektiv.
“Nuk mund të them që ky është Çelsi më i fortë i të gjitha kohëve. Nëse kthehesh disa vite mbrapa, në periudhën e Drogba, ata ishin një skuadër fantastike, shumë e vështirë për të luajtur kundër tyre”, tha Ferguson.
“Terri ishte më i ri, Lampard shënoi 30 gola në një sezon duke luajtur si mesfushor, janë gjëra që nuk do t’i shohim më kurrë. Ata ishin një skuadër shumë e fortë, e vështirë për t’u mundur dhe e pamëshirshme”, ishte komenti i trajnerit të Mançester Juanjtid i cili para gazetarëve deklaroi se skuadra e tij sot do të kishte si objektiv vetëm bllokimin e Mata, Oskar dhe Hazard në mesfushë, pasi kështu eliminohej krejtësisht rrezikshmëria e Çelsit. (LajmeShqip.com)
Sunday, 28 October 2012 13:31