Zdenek Zeman, përkohësisht ka harruar mërinë e vjetër ndaj Juventusit, duke deklaruar se bardhezinjtë e meritojnë të kryesojnë kampionatin pasi deri tani janë shfaqur shumë më mirë se skuadrat e tjera të Serisë A.
Megjithatë, trajneri çek i Romës nuk ka ngurruar të thumbojë drejtuesit e klubit bardhezi, të cilët sipas tij ankohen gjithmonë për rënien e cilësisë së futbollit por vetë janë të parët që nuk bëjnë asgjë për ta kthyer atë në nivelet e dikurshme.
“Juventusi është në krye me meritë, është shfaqur dukshëm që ka bërë më mirë se të tjerët në këto muaj të parë të kampionatit. Presidenti Anjeli thotë se sistemi i futbollit italian po përjeton një rënie të shpejtë? Mendoj se ka të drejtë, duhen reforma, duhen bërë ndryshime. Pastaj është çështje tjetër që një gjë të tillë e thonë të gjithë dhe është çështje tjetër që ata e kanë patur në dorë futbollin për 20 vite dhe kishin të gjithë kohën e duhur në dispozicion për të bërë përmirësime”, u shpreh trajneri çek për drejtuesit e Juventusit.
Duke iu kthyer skuadrës së tij, që të dielën luan një sfidë të vështirë ndaj Udinezes, Zeman ka bërë të ditur se ka ende shumë dyshime dhe po mundohet që të përshtatë disa lojtarë në role që nuk janë krejtësisht të tyret.
“Që në fillim ndërtuam një skuadër me nga dy lojtarë por çdo rol. Futbollistët i kemi, po duhet parë se sa janë në gjendje të japin në situatën aktuale. Po improvizojmë role të ndryshme me lojtarë si Lamela e Niko Lopez që të luajnë në krahë pasi Destro e Osvaldo nuk arrijnë ta bëjnë një gjë të tillë. As De Rosi me Pjaniç e Bradlei nuk arrijnë të bëjnë rolin e organizatorit, ndaj po provojmë gjithçka që kemi në dispozicion”, tregoi ai, duke bërë të qartë se nuk e ka ende në mendjen e tij formacionin ideal të skuadrës. (LajmeShqip.com)
Saturday, 27 October 2012 15:20