Roberto Di Mateo ka deklaruar se problemet në mbrojtje të Mançester Junajtid do të jenë aleati më i fortë i Çelsit në sfidën e të dielës mes dy skuadrave. Londinezët aktualisht kryesojnë të qetë renditjen e kampionatit anglez, ndërsa “djajtë e kuq” janë ndër rivalët kryesorë, pasi i ndjekin në vendin e dytë me 4 pikë diferencë. Di Mateo është i ndërgjegjshëm për rëndësinë që ka ky takim, të cilën ai e përshkruan si një “klasike” të futbollit anglez.
“Kjo është ndeshje shumë e madhe për të dy klubet dhe një klasike e mirëfilltë e kampionatit anglez. Kundërshtarët tani po pësojnë shumë gola dhe me lojtarët që kemi në dispozicion, do të mundohemi të shfrytëzojmë këtë dobësi të tyre”.
“E njohim Mançester Junajtid shumë mirë dhe ndeshjet ndaj tyre janë gjithmonë të vështira. Por duhet të përfitojmë nga avantazhi i zhvillimit të takimit në fushën tonë, para tifozëve tanë, duke patur të njëjtin besim që kemi shfaqur deri tani”, tha trajneri, i cili e sheh këtë si mundësinë perfekte për të harruar sa më parë zhgënjimin në Ligën e Kampioneve ku anglezët u mundën 2-1 nga Shakhtar Donetsk.
“Situata në dhomat e zhveshjeve nuk është më e mira e mundshme pas një humbje, por kemi një ndeshje të madhe të dielën dhe mendoj se mund t’i provojmë të gjithëve se jemi një ekip i fortë. Lojërat psikologjike me Ferguson? Nuk kam nevojë për gjëra të tilla, më duket se edhe për ta nuk funksionoi në sezonin e kaluar”, tha Di Mateo, duke kujtuar se Mançester Junajtid e kishte mbyllur sezonin e fundit pa asnjë trofe të fituar. (LajmeShqip.com)
Friday, 26 October 2012 21:32