Xhanluixhi Bufon ka bërë të qartë se dëshiron që të qëndrojë te Juventusi për të paktën edhe tre vitet e ardhshme. Portieri i Italisë është kthyer në një nga yjet e padiskutueshëm të këtij klubi që në momentin kur iu bashkua nga radhët e Parmës në vitin 2001, ndërsa duket se as që i shkon ndër mend të provojë fatin e tij në ndonjë klub tjetër.
“Unë kam kaluar tashmë 12 vite duke veshur këtë fanellë, thuajse gjysmën e jetës time, por shpresoj që aventura ime në radhët e Juventusit të vazhdojë përsëri, të paktën derisa të mbushen 15 vjet”, tha Bufon. “Janë të paktë ata lojtarë që mund të thonë se kanë qëndruar në një ekip kaq të rëndësishëm për një periudhë kaq të gjatë kohe”.
34 vjeçari kujton vitet e tij me Juventusin dhe bën të qartë se një nga pengjet më të mëdha është që nuk arriti të fitonte Ligën e Kampioneve në sezonin 2002-2003, kur u mund në finale me penallti nga Milani.
“Kalova 5 vite të para të shkëlqyera në fillimin tim këtu, duke parë sukseset në kampionat, ndonëse kishim pak zhgënjim në paraqitjet në Ligën e Kampioneve. Ne ishim ndoshta skuadra më e fortë në Evropë por nuk arritëm asnjëherë ta fitonim këtë trofe gjatë atyre viteve. Më pas erdhi Seria B, të cilën e kujtoj me kënaqësi pasi qëndrova sepse i detyrohesha tifozëve për një gjë të tillë. Do të kishte qenë shumë e lehtë të largohesha nga skuadra në ato momente”.
“Periudha më e vështirë ka qenë rikthimi në Serinë A, pasi e dinim që do të ishte e vështirë të ktheheshim ajo skuadër fitimtare që kishim qenë më përpara. E pyeta veten nëse ia vlente të qëndroja te Juventus dhe pas vitit të kaluar, përgjigja ishte padyshim “Po”, pasi një emocion të tillë si fitorja e titullit kampion nuk do ta kisha provuar kurrë te një skuadër tjetër. Tani dëshiroj që të mbyll karrierën time te Juventus duke fituar diçka shumë të rëndësishme”, tha kapiteni i Juventusit. (LajmeShqip.com)
Friday, 26 October 2012 18:43