Real Madrid do të kërkojë blerjen e Garet Beil gjatë merkatos së verës, për të përforcuar më shumë fazën ofensive të skuadrës me një lojtarët më premtues të futbollit botëror.
Uellsiani 23 vjeçar shihet nga të gjithë si një futbollist me të ardhme të shkëlqyer dhe jo rastësisht, disa nga klubet më të famshme në botë janë interesuar për blerjen e tij te Totenhem, që deri tani i ka rezistuar çdo lloj oferte për të.
Por Zhoze Murinjo mendon se ai është perfekt për skemat e tij, pasi mund ta vendosë në krahun e majtë, aty ku aktualisht luan Kristiano Ronaldo, për t’i dhënë këtij të fundit mundësinë që të luajë i lirë në cilëndo pjesë të fushës, mundësisht nga e djathta.
Duke i shtuar kësaj skeme edhe Di Marian, Ozil dhe Modriç, faza e avancuar e Realit do të ishte spektakolare dhe ndoshta një nga më të shpejtat në futbollin botëror, me lojtarë që brenda pak sekondash do të përshkonin fushën duke gjetur të papërgatitur kundërshtarin me rastin e parë që shfaqet.
Gjatë sezonit të kaluar, Beil rinovoi deri në vitin 2016 kontratën e tij me Totenhem, nga e cila përfiton tashmë 5 milion euro në sezon duke u bërë lojtari më i paguar i këtij klubi, pa harruar që do të rritje të kësaj rrogë në bazë të arritjeve të londinezëve. Këta të fundit janë gati ta shesin, por vetëm nëse dikush paguan 50 milion paund për futbollistin dhe sipas gazetës “AS”, Murinjo po mendon seriozisht që të bëjë një shpenzim të tillë, duke e cilësuar 23 vjeçarin si pjesën e fundit të mozaikut që ka ndër mend për të ndërtuar sulmin e ëndrrave të skuadrës së tij. (LajmeShqip.com)
Friday, 26 October 2012 11:05