Eksperiencës së dytë të Feliks Magath në drejtimin e Volfsburgut i erdhi fundi pasi trajneri dha dorëheqjen nga detyra e tij të enjten.
Volfsburg aktualisht gjendet në vendin e fundit në renditjen e kampionatit gjerman të futbollit dhe si rrjedhojë, drejtuesit e klubit kanë filluar tashmë të shohin për një trajner të ri që do t’i nxjerrë nga kjo situatë e vështirë. Për momentin, drejtimin e ekipit e ka marrë Lorenz Gynter Kostner, derisa të emërohet një trajner i ri i përhershëm.
“Feliks Magath hodhi hapin e parë duke i shpjeguar bordit të drejtuesve se ky klub zë një vend të rëndësishëm në zemrën e tij. Ndaj ai vendosi të hiqte dorë nga detyra e tij pasi nuk dëshironte që klubi ynë të vuante. Bordit të drejtuesve të klubit i vjen shumë keq që një problem i tillë ka lindur, pasi të dy palët provuan gjithçka në javët e fundit në mënyrë që skuadra të ishte e suksesshme”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga klubi gjerman.
Feliks Magath hyri në historinë e këtij klubi, duke e ndihmuar të fitonte titullin kampion në vitin 2009, ndërsa mendohej se do të ndërtonte një ekip që do të konkurronte për shumë vite me Bajern Mynih. Por disa zhgënjime radhazi në sezonet e fundit kanë sjellë rënien e paevitueshme në renditje dhe aktualisht, skuadra ka siguruar vetëm 5 pikë nga 8 ndeshjet e zhvilluara në këtë sezon në Bundesligë. (LajmeShqip.com)
Thursday, 25 October 2012 19:23