Ish-futbollisti i Çelsit zbulon se fjalimi i Abramoviç motivoi lojtarët për fitoren e trofeut
Solomon Kalu ka treguar për mediat franceze se një nga shtysat kryesore për skuadrën e Çelsit një sezon më parë, ishte fjalimi që Roman Abramoviç mbajti para skuadrës pas shkarkimit të Andre Vijas Boas. Ish-mesfushori i londinezëve, tashmë në radhët e Lilë, ka zbuluar se sa i rëndësishëm ishte ai fjalim për ekipin.
“Ky është roli i pronarit, t’u kujtojë të gjithëve se ai është numri 1 dhe të gjithë duhet të punojmë për interesat e klubit, jo ata individualë. Roman na e kujtoi shumë mirë dhe funksionoi. Unë mbaj mend që ai na ka folur vetëm dy herë. Herën e parë ishte në kohën e Karlo Ançelotit dhe atëherë fituam titullin dhe Kupën FA. Pastaj ai erdhi për të na folur pas shkarkimit të Andre Vijas Boas dhe ne fituam Ligën e Kampioneve”.
“Nuk ishim të frikësuar. Por ai nuk flet kurrë, ndaj kur ndodh një gjë e tillë, duhet të dëgjosh atë që ka për të thënë. Nuk do të funksiononte nëse ai nuk do ta bënte një gjë të tillë vazhdimisht. Kur investon për disa ide, ti dëshiron që ato to funksionojnë. Për këtë arsye duhet t’u kujtosh njerëzve që ti je ai që po i bën dhe vetëm ti mund të tregosh se si duhen bërë”.
Por Kalu ka pranuar se ai nuk ishte dakord me të gjitha veprimet e Abramoviç kur ishte në radhët e ish-skuadrës së tij, sidomos për ndryshimin vazhdueshëm të trajnerëve që e kishin detyruar gjithmonë të provonte veten para tyre.
“Sa herë që mbërrija në nivelin kur e kisha bindur një trajner të më aktivizonte titullar, ai shkarkohej nga puna. Gjithçka fillonte nga e para për mua, pasi nuk kisha prestigjin e shumë emrave të tjerë në skuadër që përfitonin menjëherë. E bindja trajnerin e ri, por vinte koha që edhe ai shkarkohej. Janë gjëra që ndodhnin me vazhdimësi, ndonëse shpresoja që të mos përsëriteshin”, tregoi Kalu. (LajmeShqip.com)
Monday, 22 October 2012 15:40