Mesfushori Jan M’Vila është kthyer brenda pak muajsh nga një lojtar i kërkuar nga klubet më në zë të Evropës, në një nga lojtarët më problematikë francezë. Lojtari tashmë është pezulluar edhe nga ekipi i tij, Rëne, pas ngjarjes së fundit ku ai është përfshirë, duke ulur imazhin e tij dhe të klubit njëkohësisht.
Drejtori i përgjithshëm, Pierr Dreosi, ka marrë vendimin pasi ka zhvilluar një mbledhje me Jan M’Vila dhe Kris Mavinga, duke kërkuar shpjegime rreth sjelljes së tyre në grumbullimin me kombëtaren.
Dy futbollistët, bashkë me Antuan Grizman (Real Sociedad), M’Baje Niang (Milan) dhe Uisam Ben Jeder (Tulouzë), kanë dalë pa leje për xhiro në Paris, një natë para ndeshjes së tyre kualifikuese me kombëtaren U-21 përballë Norvegjisë. Franca u mund me rezultatin 5-3 dhe u eliminua nga ky turne, ndërsa futbollistët e mësipërm iu cilësuan si shkaktarë të kësaj humbje për mungesë impenjimi.
“Kjo nuk mund të tolerohet. Kjo është mungesë respekti për futbollin, për skuadrën dhe për klubin e Rëne gjithashtu”, tha Dreosi.
Ndërkohë, presidenti i Federatës Franceze të Futbollit, Noel Le Gret, ka shpjeguar se është hapur një hetim rreth çështjes në fjalë dhe këto lojtarë duhet të presin sanksione të tjera. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 October 2012 15:01