El Haxhi Diuf ka lëshuar një sulm të papritur ndaj Stiven Xherard, duke pretenduar se kapiteni i Liverpulit është shumë egoist. Sulmuesi senegalez ka patur probleme në çdo skuadër ku ka luajtur në karrierën e tij, duke e kthyer në një lojtar mjaft antipatik që shkakton telashe.
Por futbollisti nuk ka ngurruar të tregojë se Xherard kishte qenë një person edhe më negativ, gjatë periudhës kur Diuf luajti për Liverpulin, në vitet 2002-2004, i blerë nga skuadra angleze pasi shkëlqeu në Botërorin 2002 me kombëtaren e vendit të tij.
“Xherard atëherë ishte xheloz për mua sepse unë kisha botën poshtë këmbëve të mia. Nuk ekziston një person më egoist, ai nuk shqetësohet për askënd tjetër. Xherard do të preferonte më mirë që Liverpuli të humbte, nëse ai do të shënonte gol. Grupi i vjetër i lojtarëve të Liverpulit nuk e duron më, nuk po flas për Xhemi Karrager”, tha sulmuesi 31 vjeçar që ka ndërruar deri tani 10 klube në karrierën e tij.
Kur Diuf u largua drejt Bolton,. Xherard ishte i pari që vuri në dyshim përkushtimin e lojtarit gjatë qëndrimit të tij te Liverpuli, siç tregohej qartë në autobiografinë e vitit 2007.
“Nuk kam qenë tifozi numër 1 i Diuf. Duke qenë gjithë jetën në këtë klub, e dija se cilët lojtarë ishin të uritur, cilët lojtarë kishin Liverpulin në zemër. Diuf ishte i interesuar vetëm për veten. Sjellja e tij ishte e gabuar, ai nuk impenjohej për të dhënë maksimumin që të kthenim Liverpulin në majat e futbollit anglez”, shkruhet në librin e kapitenit të skuadrës angleze.
Por tani, Diuf ka gjetur kohën për t’u kundërpërgjigjur nëpërmjet këtyre prononcimeve të dhëna për gazetën “L’Equipe”.
“Çfarë ka thënë Xherard është vetëm ajo që i intereson atij. Ajo për të cilën unë shqetësohesha asokohe, ishte kombëtarja e Senegalit, të cilën e çova deri në çerekfinalet e Botërorit 2002. Unë isha një prej 100 lojtarëve të shekullit të zgjedhur nga Pele, ai jo. E respektoj si futbollist, por ju garantoj se nuk ka një lojtar më egoist se Stiven Xherard”, deklaroi Diuf. (LajmeShqip.com)
Saturday, 20 October 2012 11:40