Çelsi ka paralajmëruar Xhon Terrin se do ta përjashtojë përfundimisht nëse ky i fundit shpallet përsëri fajtor në të ardhmen në çështje që kanë të bëjnë me abuzimin racor.
Lojtari u shfaq para një mbledhjet bordit dje dhe iu bë e qartë se e ardhmja e tij në këtë klub është në diskutim nëse situata të tilla përsëriten. Ai u gjobit nga klubi me 220 mijë paund, që janë dy javë të rrogës së tij, ndërsa iu la shiriti i kapitenit pasi pranoi që të mos apelonte vendimin me pezullim prej 4 ndeshjesh të dhënë nga Federata Angleze.
Mbrojtësi do të mungojë në dy takime shumë të rëndësishme, atë kundër Totenhemit që luhet nesër, si dhe atë kundër Mançester Junajtid pas dy javësh. Ndërkohë, edhe drejtuesit e klubit kanë lëshuar një deklaratë që në momentin kur Terri kërkoi falje publikisht për përdorimin e fjalëve me kontekst racor ndaj Anton Ferdinand.
“Çelsi vlerëson dhe mbështet deklaratën e faljes së Xhon për gjuhën që ai përdori në rastin në fjalë. Klubi beson se kjo lloj gjuhe nuk është e pranueshme dhe bie poshtë standardeve që kërkohen nga Xhon si një lojtar i Çelsit”, shkruhet në deklaratën e lëshuar nga klubi ku u sqarua edhe gjobitja e tij me dy javë rrogë.
Megjithatë, Terri po bëhet gati të paguajë një faturë të shtrenjtë prej 2 milion paund pasi do të jetë ai që do të paguajë kostot e shpenzimeve procedurale si për gjyqin civil ku u shpall i pafajshëm, ashtu edhe për atë sportiv ku u shpall fajtor nga Federata Angleze e Futbollit. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 October 2012 17:01