Administratori i Milanit, Adriano Galiani, është munduar të qetësojë disi situatën përpara sfidës delikate të fundjavës kundër Lacios, një ndeshje mjaft e vështirë për kuqezinjtë që po mundohen të kthehen mes skuadrave kryesore në kampionatin italian pas një fillimi zhgënjyes.
“Nëse bëjmë përmbledhjen e punës së trajnerit Alegri që nga dita e parë kur erdhi këtu, jemi ende të parët në renditje me pikët e siguruara nga ai, ndaj mos u shqetësoni se do ta rimarrim veten. Duhet të keni durim, edhe kjo është pjesë e procesit ciklik të sportit. Të gjitha harruan se vitin e kaluar, Interi përfundoi kampionatin 22 pikë larg Milanit dhe Juventusi vetëm dy vite më parë e mbylli atë 26 pikë larg Milanit. Sporti është me cikle, do ta rimarrim veten, i ndodh të gjithëve. Interi nuk po luan në Ligën e Kampioneve, Juventusi nuk e ka luajtur por dy vite radhazi, ndërsa ne shpresojmë që ta arrijmë përsëri këtë objektiv, nuk është e nevojshme të pikturohet situata si dramatike që tani”, tha administratori i kuqezinjve.
Më pas, ai foli edhe për temën e nxehtë të shitjes së mundshme të klubit, duke theksuar se është e rëndësishme që skuadra të ketë bilance të shëndosha, por sidomos një imazh të mirë.
“Presidenti Berluskoni ka thënë gjithmonë se nëse ka investitorë, janë të mirëpritur. Por ju siguroj se për momentin me 100% nuk shihet asnjë blerës. Bilanci? Është në barazim dhe të paktën do të na japë titullin kampion për bilancin më të rregullt. E rëndësishme është që imazhi ynë po rritet. Ju kujtoj që Real Madrid, lider i shitjes së imazhit në botë, ka kaluar 32 vite pa fituar Ligën e Kampioneve, por ka qenë i aftë të mbajë lart imazhin e vet, që tejkalon çdo rezultat sportiv dhe sjell të ardhura që pastaj klubi mund të investojë për kampionët”, shpjegoi Galiani shembullin që duhej ndjekur për të bërë përsëri tërheqës futbollin italian. (LajmeShqip.com)
Friday, 19 October 2012 09:20