Raul Albiol, mbrojtësi i Spanjës dhe i Real Madrid, është i sigurt se ekziston një fushatë e mirëfilltë kundër Iker Kazijas, me objektivin për ta larguar këtë të fundit nga lista e pretendentëve për “Topin e Artë”. Sipas tij, kapiteni i Realit dhe Spanjës është një prej personave perfekt për këtë çmim.
“Kur je për një periudhë të gjatë numri një, kundërshtarët mundohen të destabilizojnë ambientin. Iker ka treguar prej shumë kohësh se është numri një dhe vazhdon të jetë i tillë. Ka njerëz të cilët e pengojnë me qëllimin për ta larguar nga këtu. Por ai është gjithmonë shumë i qetë, është i ri, pavarësisht titujve të shumtë që ka fituar në karrierë”, u shpreh mbrojtësi për shokun e tij të ekipit.
“Ai është një perfeksionit, por kjo është normale kur je numri një, pasi të kërkohet maksimumi,. Prej tij pritet që të presë çdo gjuajtje. Po flitet shumë prej disa javësh nëse mund të bënte më shumë apo më pak në rastet e golave. Kjo është normale, diskutime ka gjithmonë, por ne e dimë që kemi një garanci në portë”, tha Albiol, i cili shpjegoi më pas edhe temën e “Topit të Artë”, ku sipas tij, Kazijas duhet jetë mes favoritëve kryesorë.
“Ndoshta kjo është ajo që kritikët e tij kërkojnë, ta largojnë nga lista e favoritëve të “Topit të Artë”. Kritika të tilla e kanë një objektiv të qartë. Kuptohet që ta fitojë një portier do të jetë e vështirë. Por nëse ka portier që mund të fitojë këtë çmim, ai është Iker, pasi në sezonin e kaluar ka fituar tituj si me Realin, ashtu edhe Spanjën”, përfundoi Albiol. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 October 2012 16:13