Përfaqësuesi i FSHF për Kosovën, Jetmir Salihu, është “zbuluesi i talenteve” të institucionit që drejton futbollin shqiptar dhe është pika e parë e kontaktit me të gjithë të rinjtë premtues që luajnë futboll anëmbanë botës. 21 vjeçari ka treguar në një intervistë të dhënë për gazetën “Panorama Sport” se kush janë ata futbollistë të rinj të cilët i kanë thënë “Jo” përfaqësueses shqiptare për t’u aktivizuar me kombëtare të tjera.
“Do të ishte bukur që çdo futbollist që do ta kontaktonim të na kthente përgjigje pozitive dhe nëse do e shihnim të vlefshëm ta bënim pjesë të kësaj kombëtareje, por nuk ndodh kështu përherë. Kemi disa raste të refuzimeve që kemi marrë nga futbollistë që sot ndoshta janë ende të panjohur për publikun shqiptar, por që shumë shpejt do të jenë futbollistë shumë të njohur. Ka dy grupe futbollistësh: ata që në momentin e parë na kanë treguar se nuk kanë qenë të interesuar për të vazhduar kontaktet dhe që për mua nuk janë aspak shqiptarë, por janë treguar burra të vërtetë. Pjesa tjetër janë ata futbollistë që kanë bërë lojë të dyfishtë, duke përdorur emrin e FSHF-së si mënyrë për t’i bërë presion një federate tjetër”, shpjegon ai.
“Kemi rastin e Leonid Loshajt, i cili është bërë i njohur edhe më parë në media, të cilit ia kam paguar personalisht biletën e aeroplanit Nuremberg-Prishtinë dhe më pas do e sillja në Tiranë. Por, vetëm gjashtë orë para nisjes, i ati Leonidit më ka telefonuar duke më treguar se klubi nuk e kishte lejuar djalin e tij për t’u paraqitur në grumbullim. Ndërsa vetë Leonidi më dërgoi një mesazh ku më tregonte se nuk mund të vinte në Prishtinë, sepse ishte i dëmtuar. Situatë qesharake… Po ashtu është rasti i Zymber Bytyçit, i cili është futbollisti me moshë më të re që ka debutuar në Superligën norvegjeze. Ai e ka mbajtur të hapur mundësinë e ardhjes te Kombëtarja jonë, por sa ka marrë ftesën norvegjeze, është tërhequr nga ideja për t’u veshur kuqezi”. 
“Veseli e Bunjaku? Nuk e kam ndjekur rastin e Veselit, ndërsa për sa i përket Bunjakut, ish-futbollist i moshave te Arsenali, aktualisht pjesë e Seviljes B, kam komunikuar personalisht. Fillimisht më është dashur të flas në gjuhën angleze, pasi ai është shprehur se nuk e njeh mirë shqipen, madje se e njihte shumë pak edhe Kombëtaren tonë, e cila ishte një shenjë injorimi për ne”, tregoi Salihu.
Sipas tij, Shqipëria sapo ka humbur dy talente të tjerë të cilët kanë zgjedhur të luajnë për një vend tjetër.
“Mendoj se kemi humbur dy futbollistë shumë cilësorë. Është fjala për Donis Avdiajn, që luan te Shalke dhe ka zgjedhur të luajë për 17-vjeçarët e Gjermanisë, duke debutuar me gol në sfidën e fundit. Po ashtu edhe Meriton Bytyçi, madje babait të tij ia pata premtuar se do e bëjmë pjesë të Kombëtares pa bërë seleksionimin, duke njohur potencialin e tij, një qendërmbrojtës 186 cm, i cili ka debutuar gjithashtu me gol në Kombëtaren U-17 të Zvicrës dhe në të ardhmen pres të jetë një mbrojtës i nivelit shumë të lartë”.
Në fund, nuk mund të mungonte komenti rreth çështjes Xhaka që ka bërë bujë një muaj më parë, me akuza të ndërsjella mes tij dhe drejtuesve të FSHF. Salihu ka qenë personi që ka kontaktuar personalisht me mesfushorin e talentuar që luan për Zvicrën dhe ka shpjeguar se si kanë rrjedhur ngjarjet.
“Atëherë ishte Redi Jupi që merrej prej disa kohësh me rastin Xhaka, duke dashur të shfrytëzonim faktin se Graniti e kishte mamanë e tij nga fshatrat e Kukësit. Ndërkohë, ndërhyra edhe unë duke shfrytëzuar faktin se jam shqiptar i Kosovës dhe ndoshta do e bindja më lehtë. Po ashtu, duke qenë se isha anëtar i “Tifozave Kuqezi”, doja t’i dërgoja edhe emocionet e tifozëve shqiptarë Xhakës. Kam kontaktuar Granitin, por ai më ka thënë se për këto çështje mund të bisedonim vetëm me babanë e tij, Rakip Xhaka. Madje i kam dërguar me postë një flamur dhe dy shalle familjes Xhaka. Po ashtu edhe një zarf me një letër, ku i kërkoja Granitit të bëhej pjesë e Kombëtares së Shqipërisë. Madje kam edhe kopjet e dërgesës, ashtu siç kam edhe kopjen e biletës së Loshajt, të cilat i kam publikuar dhe mund t’i publikoj në çdo moment. Por duket se tentativat tona familja Xhaka i përdori si presion që Graniti të bëhej sa më shpejt pjesë e Kombëtares zvicerane”, tregoi Salihu. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 October 2012 14:42