Milani ka vendosur t’i besojë plotësisht Masimiliano Alegrit, sido që të shkojnë gjërat në ndeshjen e fundjavës ndaj Lacios. Këtë fakt e ka konfirmuar plotësisht administratori i kuqezinjve, Adriano Galiani, i cili ka shprehur besimin pakufizuar ndaj trajnerit aktual.
“Ndeshja e të shtunës kundër Lacios nuk do të jetë në asnjë rast ndalesa e fundit për Alegrin, pavarësisht asaj që mund të ndodhë në Romë”, tha Galiani.
“Por gjithsesi pres shumë nga kjo ndeshje, pasi ajo është shumë, shumë e rëndësishme”, shtoi ai, duke iu referuar rëndësisë që ka për renditjen në kampionat, pasi Lacio është një kundërshtar direkt për zonën e Ligës së Kampioneve.
“Nga ndeshja e radhës pres shumë, pasi skuadra e tregoi që në derbi se nuk e meritonte humbjen. Milani do të ketë një lojë më të shpejtë në ndeshjet e ardhshme dhe skuadra do të rritet në kolektivitetin e saj. Montoliv? Bëri një gol në derbi dhe tani shënoi edhe në kombëtare, është një lojtar me shumë vlera. Fatkeqësisht, për ndeshjen e radhës kemi humbur shërbimet e Abiatit, pa llogaritur edhe Robinjon, por të paktën rifituam Pato”, tha Galiani. (LajmeShqip.com)
Thursday, 18 October 2012 08:40