Mario Baloteli nuk ka vonuar të reagojë ndaj kritikave të shefit të klubit të Mançester Sitit, Brajan Marud, duke bërë të qartë se nuk i intereson shumë çfarë thonë personat e tjerë për të para gazetarëve. Drejtuesi i klubit anglez kishte këshilluar lojtarët e akademisë të mos ndiqnin shembullin e sulmuesit italian, gjë që nuk i ka pëlqyer aspak Balotelit.
“Ndjehem shumë mirë te Mançester Siti edhe pse atje ka njerëz që u pëlqen të flasin para gazetarëve në vend që gjërat të mi thonë në fytyrë. Por mua nuk më intereson çfarë shkruhet në gazeta”, ishte komenti i sulmuesit pas ndeshjes me kombëtaren e tij ku ai shënoi një gol të rëndësishëm në fitoren 3-1 të Italisë përballë Danimarkës.
Sipas tij, i mjafton mbështetja e trajnerit Mançini për të qenë i qetë rreth të ardhmes së te ky ekip.
“Me Mançinin gjithçka shkon mirë, kemi një marrëdhënie të mirë edhe pse dikush gjithmonë mundohet që të krijojë mosmarrëveshje mes nesh. Por ne e duam njëri-tjetrin”, ishte batuta e sulmuesit, i cili më pas ka folur edhe kombëtaren dhe këtë ndeshje, ku ai arriti të jepte edhe një asist për Montolivon, si për të treguar se është mjaft i rëndësishëm për planet e Italisë.
“Kam ndjerë drithërima kur u ktheva në “San Siro”. Ky është stadiumi më i bukur që ekziston. Nëse do të kishte qenë i mbushur plot me tifozë do të kishte qenë edhe më mirë. E ndjej veten të rëndësishëm për këtë kombëtare. Nëse duam të shkojmë dhe të paraqitemi mirë edhe në Botëror, duhet një grup lojtarësh të fortë. Por unë nuk kam probleme, pasi më pëlqen të mbaj përgjegjësi mbi vete”, tha sulmuesi italian. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 October 2012 14:20