Ferrari ka lajmëruar publikisht për rinovimin e kontratës me pilotin brazilian Felipe Masa, i cili do të jetë pjesë e kësaj skuadre edhe për sezonin 2013 të kampionatit të Formula 1.
“Jam shumë i lumtur, kjo është familja ime sportive dhe unë kam garuar gjithmonë në Formula 1 me motorë që janë ndërtuar këtu. Nuk e imagjinoj dot veten duke nisur një makinë që ka një model tjetër motori”, ishte komenti i Masa pas publikimit të lajmit.
Sipas asaj që është raportuar nga skuadra Ferrari, gjatë ditës së djeshme ka patur një takim mes presidentit të Ferrarit, Luka Di Montezemolo dhe pilotit brazilian. Presidenti i ka bërë komplimente brazilianit që është ringjallur në garat e fundit dhe ka arritur të fitojë pikë të rëndësishme për renditjen e skuadrës në botërorin e konstruktorëve. Marrëveshja nuk ka vonuar të arrijë dhe është nënshkruar menjëherë kontrata për sezonin e ardhshëm, duke i dhënë fund të gjithë zërave që shihnin Vetel duke kaluar te skuadra italiane përkrah Alonsos, për të formuar një dyshe të pathyeshme.
Një koment nuk mund të mungonte edhe nga Fernando Alonso, i cili është i lumtur që ka përkrah brazilianin që shpesh i ka lënë rrugën e lirë kur bëhej fjalë për pikë të rëndësishme për botërorin.
“Jam shumë i lumtur që vazhdoj një tjetër vit me Felipe si shok skuadre. Jam i bindur se bashkë krijojmë skuadrën më të mirë. Pas 8 shokëve të ndryshëm skuadre që kam dëgjuar kohët e fundit, Felipe është një tjetër shembull i asaj që them gjithmonë: mos besoni atë që lexoni për sa kohë që nuk është zyrtare”, tha spanjolli. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 October 2012 09:20