Brazili ka arritur të kthejë me këmbë në tokë Japoninë e cila pak ditë më parë mundi në një miqësore Francën. “Seleçao” ka shkëlqyer përballë aziatikëve në ndeshjen miqësore të luajtur në Vroclavë, në Poloni, duke e mbyllur atë me rezultatin 4-0.
Paulinjo ka hapur serinë e golave në minutën e 12-të falë një kundërsulmi, ndërsa më pas ishte Neimar që dyfishoi shifrat me një goditje nga pika e bardhë e penalltisë. Ylli i Santos shënon edhe golin e dytë personal pas pushimit të takimit, ndërsa Kaka vulosi rezultatin përfundimtar me golin e katërt, përsëri pas një tjetër kundërsulmi.
Duhet theksuar se Kaka ka filluar të kthehet një futbollist të rëndësishëm për kombëtaren braziliane, pasi është përshtatur menjëherë me skemën 4-2-3-1, ku bashkë me Oskar e Hulk kanë për detyrë t’i krijojnë kushtet Neimar që të depërtojë në mbrojtjen kundërshtare. Duke parë shpejtësinë dhe talentin e yllit të Santos, trajneri Menezes ka vendosur që ta përdorë atë shpesh si sulmues të vetëm, duke kthyer në gjysmësulmues një “pykë” të mirëfilltë si Hulk. (LajmeShqip.com)
Wednesday, 17 October 2012 08:40