Nikolas Anelka ka lëshuar një tjetër sulm ndaj ish-klubit të tij, Çelsit, duke e akuzuar këtë skuadër se thjesht hedh tutje lojtarët sapo mbushin moshën 30 vjeç.
“Te Çelsi, sapo mbërrin moshën 30 vjeç, të krijohet përshtypja se je shumë i moshuar”, ishin fjalët e francezit.
Reagimi i tij erdhi pasi i kërkohej një koment rreth situatës së Florent Malouda, i cili është detyruar të stërvitet me ekipin e të rinjve dhe nuk lejohet që të qëndrojë me skuadrën e parë, pasi nuk pranoi të shitej aty ku dëshironte klubi londinez.
“Është e trishtueshme ajo që po ndodh me Malouda. Vetëm dy vite më parë, ai u shpall lojtari më i mirë i kampionatit anglez”, ishte komenti i Anelka.
Por kjo situatë nuk ka dalë në pah me Malouda, pasi ishin vetë Anelka dhe Aleks të parët që u lanë jashtë skuadre, pasi cilësoheshin të vjetër, ndërsa edhe Didier Drogba filloi të përdorej më pak nga ish-trajneri Vijas Boas. Ky i fundit kufizoi edhe kohën e aktivizimit të dyshes angleze Lampard-Kol, me të dy që tashmë mendohet se do të largohen nga klubi në fund të sezonit pasi nuk kanë rinovuar kontratat e tyre.
“Çelsi mund të reagojë në një mënyrë tjetër. Kur ata kanë nevojë për ty, je më i miri. Kur nuk kanë nevojë, të hedhin tutje”, përfundoi Anelka. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 October 2012 12:30