Presidenti i FIFA-s, Josep Blater, mendon se dueli mes argjentinasit Lionel Mesi dhe portugezit Kristiano Ronaldo se kush do të vlerësohet si lojtari më i mirë në botë është i jashtëzakonshëm për sportin e futbollit.
“Gjendemi para dy personave që luajnë ndryshe nga njëri-tjetri, me një morfologji të ndryshme dhe përballë dy personaliteteve krejt të kundërta. E gjithë kjo është e mirë për botën e futbollit. Unë mendoj se ky duel është i jashtëzakonshëm”, tha presidenti i FIFA-s në një konferencë për shtyp në Gjenevë.
“Kjo luftë për të përcaktuar se kush është më i miri në futboll padyshim që ndihmon edhe vetë këtë sport. Futbolli nuk mund të ketë vetëm një tip lojtari. Imagjinoni nëse të dy do të ishin si Mesi ose të dy do të ishin si Ronaldo. Nuk do të funksiononte mirë. Ata janë krejtësisht të kundërt dhe mendoj se është e jashtëzakonshme për futbollin që të ketë në gjirin e vet dy personalitete si ata”, shpjegoi Blater.
Mesi dhe Kristiano Ronaldo janë dy kandidatët kryesorë për të fituar “Topin e Artë” në këtë sezon, ku si rivalë pritet të kenë vetëm futbollistët e Spanjës si Iniesta, Ksavi e Kazijas. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 October 2012 11:40