Kapiteni i kombëtares së Ishujve Faroe, Frodi Benjaminsen, ka sulmuar ashpër Zlatan Ibrahimoviç pas ndeshjes që kombëtarja e vendit të tij luajti ndaj Suedisë të premten. Benjaminsen u përfshi në një zënkë me sulmuesin e Pari Sent Zhërmen kur skuadrat po shkonin në dhomat e zhveshjeve në pushimin e ndeshjes, ndërsa mbrojtësi më pas ka treguar se nuk i ka pëlqyer sjellja e sulmuesit në ndeshjen që Suedia e fitoi me vështirësi me rezultatin 2-1.
“Ai më goditi më bërryl pak para përfundimit të pjesës së parë dhe kur i kërkova shpjegime ndërsa po hynim në dhomat e zhveshjeve, tentoi të më mbërthente. Por mes nesh nuk kishte zënkë të mirëfilltë”, tregoi Benjaminsen për “Expressen”.
“Ibrahimoviç është një lojtar arrogant. Ai po përpiqej gjatë gjithë kohës të ulte skuadrën tonë, duke u mburrur me faktin ku luante apo sa shumë para fiton. Sjellja e tij ishte shumë fëminore. Ai është një lojtar i pistë gjithashtu. Thjesht nuk më pëlqen një futbollist i tillë”, ishte komenti i kapitenit të Ishujve Faroe.
Ibrahimoviç ishte autor i golit të fitores 2-1 të Suedisë në këtë sfidë, ku ekipit të tij iu desh të djersinte shumë për të përmbysur avantazhin fillestar të skuadrës modeste të Ishujve Faroe. (LajmeShqip.com)
Tuesday, 16 October 2012 08:40