Avokati i Lens Armstrong ka zbuluar se çiklisti mund të vendosë të kryejë “testin e të vërtetës” në përpjekjet për të vërtetuar se është i pafajshëm ndaj akuzave për përdorim dopingu. Por Tim Herman bëri të qartë se shumë pak njerëz do të besonin rezultatet e këtij testi, edhe nëse ata do të tregonin të vërtetën.
Amerikani është etiketuar si mashtrues nga USADA e cila mendon se ai “drejtonte programin më profesionist, të sofistikuar dhe të suksesshëm të dopingut që është parë në historinë e sportit”. USADA i ka hequr atij 7 titujt në Turin e Francës si dhe e ka përjashtuar përgjithmonë nga bota e çiklizmit.
Avokati Herman tha se do të dëshironte që 26 dëshmitarët që folën kundër Armstrong, të bënin testin e të vërtetës.
“Duhet të jetë një test i të vërtetës i bërë në mënyrën e duhur. Nuk do të sfidoja kurrë rezultatin e makinës të së vërtetës kur bëhet fjalë për një pajisje të mirë, të administruar nga një teknik i kualifikuar. A mund t’i nënshtrohet edhe Lens një testi të tillë? Pse jo, nuk i dihet kurrë”, tha ai.
Por Herman bëri të qartë se klienti i tij nuk kishte arsye reale të bënte testin. “Ai ka ecur përpara përballë kësaj situate. Emri i tij nuk do të pastrohet kurrë, pavarësisht asaj që ndodh nga sot e tutje. Nuk mendoj se raporti i USADA ndryshoi qëndrimin e njerëzve, shumë prej tyre i kishin që më parë këto mendime kundër Armstrong. Ka tifozë, por ka edhe njerëz që thjesht urrejnë të suksesshmit”, tha ai. (LajmeShqip.com)
Monday, 15 October 2012 14:10